Shqiptari nga Maqedonia, muslimani i parë që nderohet me çmimin “Kurt Schubert” në Austri

Dijetari islam shqiptar i lindur në Maqedoni Zekirija Sejdini, i cili aktualisht jeton dhe vepron në Austri, është muslimani i parë që është nderuar me çmimin memorial “Kurt Schubert”, çmim i cili ndahet në Austri në nder të akademikut austriak Kurt Schubert, raporton Anadolu Agency (AA).

Zekirija Sejdini, i cili është profesor i pedagogjisë islame dhe udhëheqës i Institutit për Teologji dhe Pedagogji Islame pranë Universitetit “Innsbruck” në Austri, është nderuar me këtë çmim për arritjet akademike dhe kontributin e tij që ka dhënë në hulumtimet bashkëkohore dhe mësimdhënien e fesë islame.

Duke folur për AA, Sejdini theksoi se me punimet e tij akademike synon të kontribuojë në bashkëjetesën ndër-fetare dhe në zhvillimin e një shoqërie multi-kulturore.

“Për mua është një nder i madh që si musliman i parë të marrë këtë shpërblim. Ndarja e këtij çmimi për një musliman është një shenjë se muslimanët shihen të barabartë me të gjithë fetë tjera. Kjo, njëkohësisht për mua është një motivim për të ardhmen që të punohet sa më shumë në fushën e mirëkuptimit dhe dialogut ndër-fetar, sepse jemi duke jetuar në një kohë ku shoqëria plurale ka sulme nga shumë anë”, tha Sejdini për AA.

Zekirija Sejdinit çmimi do t’i ndahet të enjten në Universitetin e Salzburgut, në ceremoninë e së cilës është paralajmëruar edhe prania e guvernatorit të qytetit austriak Salzburg, Wilfried Haslauer.

Çmimi “Kurt Schubert” ndahet tradicionalisht që nga viti 2010 dhe nga ajo kohë deri më tani me këtë çmim janë nderuar shumë personalite të larta akademike dhe sociale për marrëdhëniet ndërfetare. Ndër fituesit e çmimeve është edhe Marco Feingold, president i Komunitetit Hebraik të Salzburgut.

I lindur më 4 mars të vitit 1923 në kryeqytetin austriak, Vjenë, Kurt Schubert ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare më 7 shkurt të vitit 2007. /aa/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *