Si po zhduken pyjet në Shqipëri?

Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve tona gjithë këto vite ka bërë që habitati në të cilin jetojmë të ketë më pak sipërfaqe me pyje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore dhe të përpunuara nga portali Our World in Data, sipërfaqja pyjore në Shqipëri përllogaritet 7,715 km2. Në krahasim me dhjetë vite më parë, ka rreth 109 km2 më pak pyje në vend.

Ndërsa krahasuar me vendet e tjera në Ballkan Shqipëria renditet e fundit me vetëm 27% të sipërfaqes pyje. Renditja pasohet nga Serbia që edhe pse në vlerë absolute ka një sipërfaqe pyjore disa fish më të madhe se Shqipëria, në raport me totalin e sipërfaqes së saj, vetëm 30% zihet nga pyjet, shkruan Monitor.
Më pas renditet Maqedonia me 39% dhe Bosnja me 43% të totali të sipërfaqeve pyje. Ndërkohë sipas të dhënave Mali i Zi është vendi më i pyllëzuar i rajonit, ku 60% e sipërfaqes së zihet nga pyjet.
Shtetet e zhvilluara janë në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur pyjet. Sipas të dhënave të publikuara Rusia, Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë shtete që kanë sipërfaqet më të mëdha pyjore, ku tejkalojnë 2.5 milionë kilometër në katror.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ka mbledhur dhe ka analizuar të dhënat mbi pyjet që prej vitit 1964. Kjo bëhet në harkun kohor të 5 deri në 10 vite. FAO raporton të dhëna për 229 shtete dhe territore.
Të dhënat përfshijë zonat me dru bambuje, palmat, rrugët pyjore, pyjet në parqe kombëtare, rezervat natyrore, dhe zonat e tjera të mbrojtura, si ato me interes të veçantë shkencor, historik dhe kulturor ose me interes shpirtëror, shpellat, brezat dhe korridoret e pemëve.

Në këto statistika nuk merren parasysh tokat e mbjella për prodhim me pemë frutore dhe as ato të parqeve në qytete apo kopshte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *