Skandal në doping, FIFA manipuloi provëzat e organizatorëve

FIFA dhe Rusia bashkëpunojnë prej kohësh dhe jo vetëm për sa i përket organizimit të Botërorit. Sipas “Daily Mail”, vendi pritës i Kupës së Botës dhe qeveria e futbollit global janë përfshirë në një skandal, që ka të bëjë me manipulimin e testeve antidoping për lojtarët e kombëtares ruse.

E përditshmja angleze që ka zbuluar këtë skandal, raporton se FIFA që 18 muaj më parë ka qenë në dijeni të çdo hapi të ndërmarrë nga rusët në mbrojtje të futbollistëve vendës.

Në shkrimin e sipërpërmendur zbardhen fakte të reja në lidhje me këtë skandal, që është mbuluar nga vetë drejtuesit rusë, në bashkëpunim me organin më të lartë të futbollit botëror. Detajet e reja zbulojnë se Ministria Ruse e Sporteve manipuloi testin e njërit prej lojtarëve të kombëtares ruse, raporton Panaroma.

Sipas “Daily Mail” thuhet se urina e lojtarit Ruslan Kambolov është manipuluar ose më saktë provëza e tij është zëvendësuar me një tjetër ku materiali për t’u analizuar ishte totalisht i pastër. Ndeshjet pozitive të Rusisë në Botëror, kanë ringritur dyshime në lidhje me fizikun e lojtarëve, të cilët po zhvillojnë paraqitje të larta jo vetëm taktikisht.

Në shkrimin e saj, “Daily Mail” shkruan se FIFA ka pasur prova për mbulimin e këtij skandali që 18 muaj më parë, por nuk ka bërë asgjë për të sanksionuar përgjegjësit. Pas këtij lajmi, priten zhvillime të reja, teksa autoritetet ruse vijojnë të trumpetojnë faktin se janë bërë teste surprizë mbi shumë futbollistë dhe në asnjë rast nuk është vërtetuar ndonjë shkelje në lidhje me substanca që mund të ndryshojnë paraqitjet fizike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *