Mbresa nga leximi i veprës ‘’Nuk qe vetëm ëndërr’’ nga Adem Xheladini

Një realitet i brishtë e i trishtë

Alide Lloga Dika, 15.07.2019 Strugë

’’Nuk qe vetëm ëndërr’’, romani i autorit Adem Xheladini sjell ndër ne ngjarje tepër thelbësore e shumë të rëndësishme, ngaqë këto ngjarje mund të sjellin vërtet dhimbje të mëdha te njerëzimi dhe le të kuptohet se autori njeh mirë rrethin ku jeton. Sa herë që ne mundohemi të jemi vetvetja në të shumtën e rasteve kjo pengohet nga njerëz përeth nesh, të cilët veprimet tona i marrin për të çmendura. Kjo gjendje është shumë e vështirë e tejet e dhimbshme, sepse nuk të lejojnë të jesh ti, por autori në fjalë këto barriera i zhduk dhe personazhin e mvesh me energji pozitive edhe pse ajo (Lea) qe tejet e përbuzur nga rrethi. Na sjell ne një heroinë të vërtetë, një personazh të dlirë e aq më pak kur këtë personazh autori e çon nëpër situata të ndryshme që fatkeqësisht sot janë zhdukur dhe kur dikush ka mall për të lexuar ndonjë libër apo kënaqet, kur shfleton fletët e arta të abetares e marrin për të marrë. Gojët e liga nuk mbylles as edhe kur Hana gjendet e vdekur e çka s’thanë për të, ndërkaq realiteti qe krejt ndryshe. Fatkeqësisht është e vërtetë se njerëzit merren më shumë me tjetrin, sesa me vetveten. Poashtu mes tjerash mund të hasim edhe Ditmir Malasin, i cili kërkon drejtësi e të zbardhet rasti për tragjedinë e Hanës.

Në mënyrë të shkëlqyer e tepër të thuktë autori sjell rrëfimin e gjithë romanit. Ky roman lexohet mund të them me një frymë dhe të tërheq si magnet që ta përfundosh aty për aty e për të marrë porosi të natyrave të ndryshme. Autori prek ndjeshëm realitetin e jetesës së njerëzve në rrethin shoqëror, por ajo që më gëzon më së shumti është se autori s’lejon që heroina e tij të bije pre e të gjitha padrejtësive që i kanosen. Ai në mëmyrë tepër të çiltër e pa bërë bujë ngjall ndjenjën e dashurisë, për të cilën mjerisht mund të themi se kohëve të fundit po i ik shija e vërtetësisë dhe ndjenja e magjishme që ekziston në të. Ai këtë e sjell shumë ëmbël e plot magji kur Ersi dashuron Lean dhe ka plot ndjenja të përziera për një dashuri të sinqertë e plot dlirësi, megjithatë autori mëton të jetë pozitv dhe shkrin ndjenjat e këtyre të rinjve.

Në këtë vepër kemi të bëjmë me një gjuhë të zgjedhur artistike e me plot emocion brenda tyre, sidomos autori përdor edhe fjalë për të sjell sa më ëmbël ngjarje të ndryshme të jetës, ku po të njejtat s’është se i dëgjojmë shpesh në të folmet e përditshme p.sh. :pandalthas, këtejthi, andejthas, bjerrakohjes, llafomanisë, grithte, stërhirej, zukamë, lukuni, rrëmbimthas, tutjez, kothere, vëngërth, theskë, vrapthas, vajhall etj.

Ndërlidhja e ngjarjeve në këtë vepër është e përkryer të duken në parim si pjesë të veçanta, por në fakt ato bëjnë një të tërë e kurorëzojnë ëndrra e ëndrra njerëzish me fate të ndryshme. Ashtu siç e ka pagëzuar edhe vetë autori këtë libër se në jetën ku jetojmë s’jemi në ëndërr, por një realitet i brishtë e i trishtë, që të bën të mendosh si një ëndërr e sikur e jetëson po atë ëndërr.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *